Global Engineer Girls North Macedonia mori pjesë në takimin e madh ndërkombëtar të programit Global Engineer Girls që u mbajt në Istanbul, ku u mblodhën vajza të ardhshme-inxhiniere nga tetë shtete.
Ngjarja bashkoi studente dhe profesioniste të reja nga Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Arabia Saudite, Spanja, Bregu i Fildishtë, Mozambiku dhe Mbretëria e Bashkuar, me fokus në lidershipin e grave, inovacionin teknologjik dhe mundësitë e barabarta në inxhinieri.
Mikpritëse e aktivitetit ishte Ebru Özdemir, presidente e Fondacionit Limak dhe e Limak Holding, kompani investitore e projektit Diamond of Skopje. Në takim mori pjesë edhe Mahinur Özdemir Göktaş, ministre për Familje dhe Shërbime Sociale e Turqisë.
Në kuadër të takimit morën pjesë 320 studente, ndërsa mbi 500 pjesëmarrës – mentorë, ish-anëtare të programit dhe profesionistë nga industri të ndryshme – ishin pjesë e edicionit të tetë të këtij organizimi global.
Në fjalimin e saj, Ebru Özdemir theksoi se e ardhmja e inxhinierisë nuk mund të ndërtohet pa gratë.
“Nëse dëshironi të zgjidhni sfidat më komplekse inxhinierike në botë, është e pamundur të jeni konkurrues në nivel global duke përjashtuar gjysmën e talentit të përgjithshëm”, deklaroi ajo, duke shtuar se gratë ende përbëjnë vetëm 28 për qind të të diplomuarve në inxhinieri në nivel botëror.
Programi Global Engineer Girls u themelua në vitin 2015 në Turqi dhe sot është shndërruar në një lëvizje globale që bashkëpunon me më shumë se 80 universitete dhe rreth 40 fakultete e drejtime inxhinierike, me synim rritjen e pjesëmarrjes së grave në fushat STEM.






