10.8 C
Skopje
Thursday, May 23, 2024

Ushtria e Izraelit e pranon se e goditi një ambulancë në Gazë, thotë se po barte militantë të Hamasit

Ushtria e Izraelit e pranoi të premten se e ka goditur një ambulancë gjatë sulmeve ajrore në Rripin e Gazës, për të cilën tha se po barte militantë të grupit palestinez, Hamas.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, tha se ambulanca ishte duke evakuuar njerëz të plagosur nga veriu i rrethuar në jug të vendit.

Sipas saj, ambulanca ishte pjesë e një autokolone që po largohej nga sitali al-Shifa, të cilën e sulmoi Izraeli të premten, duke shtuar se “një numër i madh” u vranë dhe u plagosën, por pa dhënë shifra.

Por, të premten vonë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se ushtarët e vet kishin vlerësuar se ambulanca “po përdorej nga një qelizë terroriste e Hamasit” dhe se një numër i militantëve të Hamasit u vranë gjatë sulmit.

“Ne e theksojmë se kjo zonë është zonë lufte. Civilëve në këtë zonë u bëhet thirrje vazhdimisht për t’u evakuuar në jug për sigurinë e tyre”, tha IDF-ja.

Ajo tha se do të japë më shumë hollësi rreth këtij incidenti më vonë.

“Ne kemi të dhëna të cilat dëshmojnë se mënyra e veprimit të Hamasit është të bartë terroristë dhe armë me ambulanca”, shtoi ajo.

Më herët gjatë ditës u raportua për një shpërthim pranë spitalit Al-Shifa në Qytetin e Gazës. Pamje, të cilat BBC-ja thotë t’i ketë verifikuar, tregojnë një ambulancë të dëmtuar dhe një numër njerëzish të lënduar të shtrirë pranë spitalit.

Ky sulm ndodhi në ditën kur sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, e vizitoi Izraelin, të cilit i bëri trysni Izraelit për një pauzë të përkohshme në ofensivën e tij, në mënyrë që kushtet humanitare të përmirësohen në Gazë.

Po ashtu, Blinkeni i bëri thirrje Izraelit të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët nga bombardimet që po i kryen në Gazë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës, duke thënë se ofensiva shkatërruese do të vazhdojë derisa grupi militant, Hamas, t’i lirojë të gjitha pengjet.

Hamasi i rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve të përgjakshme që i kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat e shkaktuan një luftë të re Izrael-Hamas.

Mbi 1.400 njerëz u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.

Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi./REL

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit