Pas raportimit për cilësinë e ujit në katër fshatra të Komunës së Tetovës, janë siguruar rezultatet e analizave të kryera gjatë vitit 2026 nga Qendra për Shëndet Publik.
Në Poroj, nga tri mostrat e analizuara gjatë këtij viti, dy të parat kanë qenë në rregull, ndërsa mostra e marrë në gusht ka treguar se uji nuk i plotëson kushtet për konsum.
Gjendja më shqetësuese paraqitet në Xhepçisht. Nga tri analizat e kryera deri tani gjatë vitit, uji nuk ka rezultuar i pijshëm në asnjërën prej tyre.
Në Reçicën e Vogël, ku furnizimi me ujë menaxhohet nga bashkësia lokale, nga dy mostrat e analizuara gjatë vitit, të dyja kanë rezultuar të papërshtatshme për pije.
Ndërkohë, analizat e reja janë ende në proces dhe rezultatet e tyre pritet të bëhen të ditura gjatë kësaj jave.
Probleme me cilësinë e ujit janë konstatuar edhe në Reçicën e Madhe. Nga dy kontrollet e kryera gjatë vitit 2026, uji ka rezultuar i papijshëm, ndërsa aktualisht priten rezultatet e mostrave të reja.
Nga Qendra për Shëndet Publik bëjnë të ditur se institucionet kompetente dhe bashkësitë lokale janë njoftuar zyrtarisht për rezultatet e analizave të deritanishme.






