Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar me nënsekretaren e Shtetit të SHBA-së për Çështjet Politike, Allison Hooker, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se takimi konfirmoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh.
Në fokus të bisedës ishin çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe koordinimi mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, veçanërisht pas Samitit në Ankara dhe në prag të samitit të ardhshëm të Aleancës që do të mbahet në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën e sigurisë dhe zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, me theks te rëndësia e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
Hoxha theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA mbështeten në vlera të përbashkëta demokratike, solidaritetin transatlantik dhe angazhimin e përbashkët në fushën e sigurisë.
Ai gjithashtu bëri të ditur se, pas diskutimeve të zhvilluara në Uashington në korrik, të dyja palët rikonfirmuan interesin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Ministri shprehu pritshmërinë që dialogu dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synim rezultate konkrete dhe përfitime të ndërsjella.






