Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar se nxënësit e Treboshit këtë vit i kanë nisur mësimet në ambiente të rinovuara.
Sejdiu, së bashku me nxënës, mësimdhënës dhe prindër, mori pjesë në shënimin e fillimit të vitit shkollor në SHFK “Fan Noli” në Trebosh.
Sipas tij, ky fillim i vitit shkollor është i veçantë, pasi është përmbyllur rinovimi i shkollës, e cila tashmë ofron kushte më të përshtatshme dhe më të sigurta për zhvillimin e procesit mësimor.
Sejdiu ka falënderuar veçanërisht drejtoreshën e shkollës për përkushtimin dhe angazhimin gjatë realizimit të projektit.
“Fëmijët janë e ardhmja jonë, ndërsa investimi në ta është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë”, ka shkruar Sejdiu.
Në fund, ai u ka uruar nxënësve të Komunës së Zhelinës një vit të suksesshëm shkollor, të mbushur me dije, arritje dhe momente të bukura në ambientet e rinovuara.






