U arrestua me urdhër të SPAK, kush është “i forti” i Shkodrës, Bledar Cafi

Advertisement

Shkodër, 26 shtator Zhurnal.mk – Arrestimi i sotëm nuk është rasti i parë kur emri i Bledar Cafit lidhet me hetime dhe dënime për trafik narkotikësh.

Bledar Cafi, i njohur edhe me mbiemrin Bokrri, u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e tij në Shkodër. Operacioni i koduar “Muri i Lartë” u zhvillua nga Policia e Shtetit dhe BKH, nën drejtimin e SPAK.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Gjykata e Posaçme kishte caktuar më 25 shtator 2026 ndaj Cafit masën e sigurisë “Arrest me burg”.

SPAK e akuzon për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Por ky nuk është rasti i parë kur emri i Bledar Cafit lidhet me hetime dhe dënime për trafik narkotikësh.

Dënimi në Itali dhe arrestimi në vitin 2021

Më 4 qershor 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi Cafin me 4 vjet e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha. Në janar 2021, Policia e Shtetit e arrestoi në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Në atë kohë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe autoritetet italiane e kërkonin për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”.

“Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 41-vjeçari i dënuar për veprat penale ‘Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘Trafikim droge në sasi të mëdha’”, njoftonte Policia e Shtetit në janar 2021.

Emri i Bledar Cafit është shfaqur edhe në një raport të Policisë së Shtetit. Sipas këtij raporti, Bledar Cafi dhe vëllai i tij, Gëzim Cafi, ishin objekt verifikimesh nga Operacioni Forca e Ligjit. Raporti i referohej dënimeve të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe pasurive e aktiviteteve ekonomike të familjes. Sipas të njëjtit raport, Cafi kishte pasur në Shqipëri aktivitete biznesi, mes tyre bar-kafe, aktivitet në sektorin e peshkimit në lumin Buna dhe një njësi për tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore në Shkodër.

Pesë vjet pas arrestimit për llogari të drejtësisë italiane, Bledar Cafi është sërish në pranga.

Këtë herë arrestimi lidhet me një hetim të SPAK. Në të njëjtin operacion, strukturat e Policisë dhe BKH-së ushtruan kontrolle për gjetjen e Endrit Dokles, i njohur edhe si Indrit Dokle. Dokle është në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj tij GJKKO ka vendosur masën “Arrest me burg” për akuza që lidhen me trafikimin e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.

 

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit