Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë një vizite pune në SVR Ohër dhe në Qendrën Rajonale për Punë Kufitare Perëndim, diskutoi me drejtuesit për gjendjen e sigurisë, aktivitetet në vazhdim dhe prioritetet e punës.
Në SVR Ohër, fokusi kryesor ishte përgatitja e qendrës komanduese për zbatimin praktik të sistemit “Qytet i sigurt”. Toshkovski tha se aktivitetet janë në fazën përfundimtare dhe se sistemi pritet të nisë më 12 tetor në territorin e SVR Ohër, duke përfshirë Ohërin, Strugën, Kërçovën dhe Dibrën.
Gjatë takimeve u diskutua edhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe shpërndarjes së drogës, ruajtjen e rendit publik dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Në Qendrën Rajonale për Punë Kufitare Perëndim, Toshkovski njoftoi se është arritur marrëveshje që aktivitetet e FRONTEX-it, të cilat deri tani janë zhvilluar në kufirin jugor, të zgjerohen edhe në kufirin perëndimor. Aktivitetet e përbashkëta pritet të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.
Sipas ministrit, ky bashkëpunim do të sjellë kapacitete shtesë dhe kontroll më të mirë të kufirit perëndimor, veçanërisht në drejtim të kufirit me Shqipërinë.
Toshkovski theksoi se MPB-ja do të vazhdojë me modernizimin e punës policore, forcimin e sigurisë kufitare dhe avancimin e kapaciteteve të shërbimeve policore.






