Kryetari i LSDM-së dhe i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, Venko Filipçe, gjatë takimit me delegacionin e Senatit të Francës në Kuvend, foli për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe nevojën për garanci në vazhdimin e negociatave.
Filipçe deklaroi se LSDM-ja do të mbështesë zgjidhje që do të sigurojnë kushte më të mira për negociatat dhe garanci kundër bllokadave të ardhshme, duke theksuar se është e nevojshme të përcaktohen hapat dhe afatet për vazhdimin e procesit.
Ai tha se vendi duhet të ketë më shumë qartësi lidhur me perspektivën e tij evropiane dhe rezultatet që mund të arrihen në periudhën e ardhshme.
Duke iu referuar zhvillimeve në procesin e zgjerimit të BE-së, Filipçe përmendi Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën si vende që, sipas tij, po bëjnë përparim në rrugën drejt anëtarësimit.
Në takim u ngritën gjithashtu çështje që lidhen me mbështetjen financiare të BE-së dhe përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në buxhetimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Filipçe theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe të sigurimit të një perspektive të qartë për integrimin evropian të vendit.






