Toshkovski në takim me ambasadoren britanike Sivagnanam: Thellimi i partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit policor me Mbretërinë e Bashkuar

Advertisement
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot zhvilloi një takim pune me ambasadoren e sapoemëruar të Mbretërisë së Bashkuar, Sh.S. Maja Sivagnanam, gjatë të cilit u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer i deritanishëm dhe përcaktimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurisë.
Në takim u diskutua për aktivitetet aktuale dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit policor, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, sigurinë kufitare, përballjen me migracionin ilegal, krimin kibernetik dhe rrjedhat e paligjshme financiare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua aktiviteteve në kuadër të Grupit të Përbashkët të Punës për Migracionin, si dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit policor operacional dhe rajonal, shkëmbimit të informacioneve dhe përvojave, si dhe forcimit të kapaciteteve profesionale dhe teknike të policisë së Maqedonisë.
Ministri Toshkovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ofron Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes ndihmës eksperte dhe teknike, trajnimeve të specializuara dhe realizimit të projekteve të përbashkëta.
Në takim u theksua se Marrëveshja për Partneritet Strategjik ndërmjet Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar paraqet një bazë të rëndësishme për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, të orientuara drejt përballjes më efikase me sfidat bashkëkohore të sigurisë, stabilitetit më të madh rajonal dhe sigurisë së qytetarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit