Nikolloski paralajmëron ndryshime në autostrada: Hiqen pikat e pagesës, shoferët do të paguajnë sipas kilometrave të përshkuar

Advertisement

Nikolloski para Odës Ekonomike Amerikane: Shtet digjital do të thotë zhvillim dhe prosperitet, kemi vendosur ta çojmë vendin në rrugën e zhvillimit

Kemi vendosur ta zhvillojmë Maqedoninë, ta çojmë përpara dhe duhet t’i pranojmë sfidat e kohës së re, që janë digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë fjalimit të tij në konferencën për transformimin digjital, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Maqedoninë e Veriut (AmCham), e cila po mbahet sot në Shkup.

Nikolloski theksoi se epoka digjitale dhe zhvillimi i përshpejtuar teknologjik tashmë po e ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e funksionimit të bizneseve, shoqërisë dhe institucioneve. Ai përmendi disa projekte konkrete për të cilat po punohet, përfshirë ndërtimin e një qendre kombëtare të të dhënave, krijimin e një sistemi kombëtar me një sportel, vendosjen e pagesës digjitale të tarifave rrugore dhe sistemeve inteligjente të transportit për modernizimin dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

“Këto ndryshime hapin mundësi të jashtëzakonshme në çdo fushë të veprimtarisë, jo vetëm në ekonomi, por edhe në shëndetësi, në sistemet e transportit dhe pothuajse në çdo segment të shoqërisë”, theksoi Nikolloski.

Ai nënvizoi se Qeveria tashmë po punon për zbatimin e strategjisë “Smart Macedonia 2030”, ndërsa një nga projektet kryesore është ndërtimi i qendrës së parë kombëtare shtetërore të të dhënave.

“Së bashku me Ministrinë e Transformimit Digjital, tashmë po punojmë për zhvillimin e qendrës së parë kombëtare shtetërore të të dhënave. Po punojmë intensivisht në këtë drejtim. Ndërtimi i saj duhet të fillojë që vitin e ardhshëm. Aktualisht po zhvillohen të gjitha procedurat që lidhen me urbanizimin dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për fillimin e ndërtimit.

Ideja është që kjo qendër e të dhënave t’i shërbejë shtetit dhe institucioneve shtetërore, duke i përqendruar të gjitha institucionet në një vend. Aktualisht kemi një sistem të shpërndarë dhe të paorganizuar, ku secili institucion kujdeset vetë për sistemin e tij”, deklaroi Nikolloski.

“Jemi në një fazë të avancuar të krijimit të sistemit kombëtar me një sportel, i cili është konceptuar si një platformë e centralizuar që do t’u mundësojë të gjitha institucioneve përkatëse të punojnë në një platformë të përbashkët digjitale”, shtoi zëvendëskryeministri.

Pagesa e autostradave sipas kilometrave të përshkuar

Gjatë fjalimit të tij, Nikolloski paralajmëroi edhe vendosjen e një sistemi të ri elektronik për pagesën e tarifave të autostradave.

“Nuk po flasim për një sistem të hapur apo të mbyllur të pikave të pagesës rrugore, por për një sistem ku nuk do të ketë fare pika fizike pagese në rrugë. Pagesa për shfrytëzimin e autostradës do të bëhet sipas kilometrave të përshkuar, gjë që është shumë, shumë më e drejtë krahasuar me sistemin që kemi aktualisht”, shpjegoi Nikolloski.

Zbatimi i parë i këtij sistemi është planifikuar në autostradën Ohër–Kërçovë, ndërtimi i së cilës, sipas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit, duhet të përfundojë deri në fund të majit të vitit 2027.

Sisteme inteligjente të transportit në Korridorin 10

Në sektorin e transportit, Nikolloski paralajmëroi gjithashtu vendosjen e sistemeve inteligjente të transportit.

“Jemi në fazën përfundimtare të ndryshimit të legjislacionit, me qëllim vendosjen e sistemeve inteligjente të transportit. Bëhet fjalë për pesë ligje, prej të cilave tri janë në kompetencë të Ministrisë së Transportit, një në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe një në kompetencë të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale”, theksoi Nikolloski.

Ai konfirmoi se, me mbështetjen e Bankës Botërore, tashmë është nënshkruar një marrëveshje për vendosjen e sistemeve inteligjente të transportit në Korridorin 10, në segmentin nga Tabanoci deri në Gjevgjeli.

Zbatimi i këtyre sistemeve pritet të fillojë nga fundi i vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit