Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se më 6 shtator 2026, Tetova do të jetë nikoqire e Kampionatit Shtetëror në Ngjitje Malore dhe një gare ndërkombëtare të çiklizmit.
Për këto aktivitete, të cilat pritet të sjellin sportistë dhe adhurues të çiklizmit nga vendi dhe rajoni, Kasami sot zhvilloi takim me kryetarin e Federatës së Çiklizmit të Maqedonisë së Veriut, Emil Cvetanov, dhe kryetarin e Klubit të Çiklizmit “Phoenix Cycling Team”, Senad Idrizi.
Në takim është diskutuar për përgatitjet dhe organizimin e aktiviteteve sportive që do të zhvillohen në Tetovë.
“Për herë të parë, Komuna e Tetovës dhe Federata e Çiklizmit e Maqedonisë së Veriut po e sjellin këtë ngjarje të madhe sportive në qytetin tonë. Tetova po bëhet qendër e ngjarjeve të rëndësishme, sepse ne nuk presim që mundësitë të vijnë vetë, por punojmë dhe i krijojmë ato. Më 6 shtator, malet tona do të bëhen arenë gare, ndërsa Tetova do të dëshmojë se ka bukurinë, mikpritjen dhe fuqinë për të organizuar ngjarje sportive me përmasa ndërkombëtare”, ka shkruar Kasami.
Sipas kryetarit të Tetovës, këto aktivitete paraqesin një mundësi për promovimin e qytetit si destinacion sportiv dhe turistik, si dhe për përfshirjen e Tetovës në hartën e ngjarjeve sportive me karakter ndërkombëtar.






