Të paktën 27 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti të fuqishëm me magnitudë 7,4 që goditi pjesën veriperëndimore të Kolumbisë, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 34 kilometra në veriperëndim të qytetit Cartago, në një thellësi prej rreth 115 kilometrash.
Në qytetin Quibdó, kryeqytetin e departamentit Chocó, janë raportuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe disa persona janë lënduar. Guvernatorja e Chocó, Nubia Carolina Córdoba-Curi, tha se autoritetet kanë nisur vlerësimin e dëmeve dhe paralajmëroi për mundësinë e pasgoditjeve.
“Jemi të shqetësuar për pasgoditjet e mundshme. Në Quibdó ka të lënduar dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesa”, deklaroi ajo.
Sipas raportimeve lokale, tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në katedrale dhe në më shumë se 10 aeroporte. Në Cali dhe Manizales janë raportuar rënie të fasadave nga disa ndërtesa, ndërsa në Manizales është dëmtuar edhe një nga kullat e katedrales.
Në Quibdó, disa ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit po punojnë në terren për të vlerësuar situatën dhe për të kërkuar persona të mundshëm nën rrënoja.
Në aeroportin ndërkombëtar “Matecaña” është shembur një pjesë e çatisë, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të kontrolluar nëse ka persona të bllokuar. Deri tani, autoritetet nuk kanë raportuar viktima apo të lënduar në këtë lokacion.
Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Venezuelë, Ekuador dhe Panama.
Autoritetet kolumbiane vijojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa ekipet e emergjencës janë në gatishmëri për pasgoditje të mundshme.






