Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, ka kundërshtuar krahasimin mes ish-ministrit Artan Grubi dhe ish-ministrit Ivan Stoilkoviq.
Duke komentuar deklaratën e deputetit Halil Snopçe dhe qëndrimin e ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, Taravari tha se kritika nuk kishte për qëllim lartësimin e Grubit, por kundërshtimin e krahasimit të tij me Stoilkoviqin.
“Nuk mund të thuash që Artan Grubi, me të gjitha dobësitë, është në listën e zezë. Ne e kritikojmë për të gjitha gjërat e këqija, në qoftë se ka dhe i konstaton gjykata. A është në rregull ta krahasosh Stoilkoviqin me Artan Grubin? Është nonsens”, deklaroi Taravari.
Sipas tij, dallimi mes dy ish-ministrave shihet edhe në politikat që kanë ndjekur ndaj shqiptarëve.
“Artani ka avancuar 1.000 shqiptarë, ka punësuar dhe ka ndihmuar, ndërsa Stoilkoviqi ka bërë të kundërtën”, tha Taravari.






