Serbia tani më si shtet është sponzorizuese e terrorizmit. Këtë e deklaroi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svelça në emisionin “Intervistë në SHENJA”. Ai tha se ata Milan Radojçiqin, jo vetëm që kanë mbështetur financiarisht por edhe politikisht.
“Vuçiq nuk e ka mohu që e mbështet atë, ka qenë nënkryetar i subjektit më të madh serb në Kosovë dhe realisht ka qenë lideri i këtij subjekti. Por përveç kësaj ka patur ndihmë financiare, ka patur armatosje të grupit si dhe trajnim dhe pjesëmarrje të shtetit të Serbisë në këtë sulm terrorist. Armatimi që është zënë më 24 shtator, por jo vetëm edhe më herret në Sveçan dhe në Mitrovicë të Veriut është pothuajse i njëjti lloj i armatimit të gjitha vijnë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Ne kemi edhe dëshmi materiale se prej nga kanë dalë, kush i ka pranuara dhe ku janë gjetur”, tha Svelça.
Ai tha se nuk kanë pritur që Serbia të jetë aq arrogante dhe aq e pakujdesshme që të le gjurmë gjithë andej. /SHENJA/