Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, ka deklaruar se bashkimi i këtij koalicioni në një subjekt të vetëm politik paraqet hapjen e një kapitulli të ri për politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Sulejmani theksoi se VLEN do të mbetet e përkushtuar në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, në zhvillimin ekonomik, mbështetjen e bizneseve familjare dhe të rinjve, si dhe në avancimin e arsimit cilësor në gjuhën shqipe.
Sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kërkojnë privilegje, por barazi; nuk kërkojnë retorikë, por mundësi; nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi dhe integritet.
“Filozofia jonë është e qartë: qendër e djathtë në vlera, moderne në qasje dhe e vendosur në mbrojtjen e interesit qytetar. VLEN nuk do të jetë parti e fjalëve, por e rezultateve”, ka theksuar Sulejmani.
Ai shtoi se VLEN do të matet me punë konkrete në ekonomi, arsim, infrastrukturë dhe në ndërtimin e institucioneve funksionale që janë në shërbim të qytetarit.
Duke folur për rëndësinë e Ditës së Evropës, Sulejmani tha se bashkimi i VLEN-it merr simbolikë të veçantë, pasi orientimi politik i këtij subjekti mbetet një Maqedoni e Veriut evropiane, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë.
Në kongresin e paralajmëruar për më 9 maj, pritet që rreth 850 delegatë të vulosin zyrtarisht bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm politik, nën sloganin “VLEN NJË”.
“Me këtë bashkim nuk po mbyllim një kapitull, por po hapim një të ri. VLEN nuk është vetëm një koalicion, VLEN është një”, është mesazhi i Sulejmanit.





