Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, deklaroi në emisionin “n’Podium” në Ora24.tv se në universitetet e vendit janë të regjistruar mbi 13 mijë studentë dhe se, për momentin, nuk është vërejtur rënie e numrit të tyre.
Sulejmani tha se shifrat janë pak a shumë të njëjta me vitet e kaluara, ndërsa të dhënat përfundimtare ende priten nga universitetet publike.
“Vetëm në universitetet shtetërore janë të regjistruar rreth 10 mijë studentë”, tha ai, duke theksuar se këto nuk janë ende shifra përfundimtare.
Duke folur për studentët e huaj, zëvendësministri tha se në universitetet e vendit studiojnë të rinj nga vende të ndryshme, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Sipas tij, shumica e studentëve të huaj janë nga Kosova, por ende nuk ka një shifër të saktë, pasi universitetet pritet të dorëzojnë të dhënat përfundimtare.
Sulejmani shtoi se rënia e numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm mund të ndikojë edhe në numrin e studentëve në vitet e ardhshme.Ora24.tv






