Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani ka marrë pjesë si panelist në Torino Global Skills Summit 2026, ku ka diskutuar mbi rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e aftësive profesionale, qëndrueshmërinë dhe përballimin e transformimeve globale.
Gjatë diskutimit, Sulejmani prezantoi prioritetet dhe reformat e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e një sistemi arsimor të përshtatur me nevojat e tregut të punës, zhvillimin teknologjik dhe tranzicionin e gjelbër.
Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e arsimit dhe aftësimit profesional, duke veçuar zhvillimin e arsimit dual, ku aktualisht janë të përfshira mbi 1.000 kompani, avancimin e Qendrave Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional, orientimin në karrierë dhe të nxënit gjatë gjithë jetës.
Sipas Sulejmanit, synimi i reformave nuk është vetëm përmbushja e kërkesave të tregut të punës, por krijimi i mundësive që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, ndërsa qytetarët të jenë të përgatitur për ndryshimet ekonomike dhe shoqërore.
Ai nënvizoi se, në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave dhe integrimit evropian, Ministria mbetet e përkushtuar për një sistem arsimor gjithëpërfshirës, cilësor dhe konkurrues, përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore, sektorit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Suksesi i reformave nuk matet vetëm me numrin e programeve dhe marrëveshjeve, por me mundësitë reale që ato krijojnë për qytetarët. Investimi në arsim dhe zhvillimin e aftësive është investim në të ardhmen e vendit tonë dhe në perspektivën e tij evropiane”, ka thënë zv/ministri Sulejmani.








