Beograd, Vishnja Aqimoviq dënohet me 13 vjet burg për vrasjen e të paktën 30 civilëve boshnjakë

Advertisement

Fondi për të Drejtën Humanitare (FHP) ka bërë të ditur se Gjykata e Lartë në Beograd e ka dënuar në shkallë të parë Vishnja Aqimoviqin me 13 vjet burg për vrasjen e të paktën 30 civilëve boshnjakë në fillim të qershorit të vitit 1992, në territorin e komunës së Vlasenicës, transmeton Anadolu.

Nga fondi vlerësuan se dënimi i shqiptuar është joproporcionalisht i ulët, duke pasur parasysh rëndësinë e krimit dhe numrin e civilëve të vrarë.

Gjatë përcaktimit të dënimit, gjykata si rrethanë lehtësuese mori parasysh faktin se Aqimoviq në kohën e kryerjes së krimit ishte e re dhe sapo kishte arritur moshën madhore, ndërsa si rrethanë rënduese mori parasysh numrin e viktimave.

“FHP konsideron se gjykata i ka dhënë peshë të tepruar moshës së të akuzuarës, ndërsa nuk e ka vlerësuar sa duhet rëndësinë e krimit në të cilin ajo ka marrë pjesë”, thuhet në njoftimin e fondit.

Lidhur me këtë rast, fondi paralajmëroi gjithashtu për mangësi serioze në punën e Prokurorisë Publike për Krime Lufte, të cilat pasqyrohen në përfaqësimin joefikas të aktakuzës dhe në mungesën e provave të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e saj.

Aktakuza kundër Aqimoviq u ngrit më 17 shtator të vitit 2020, ndërsa gjykimi filloi më 7 dhjetor të po atij viti.

Nga gjithsej 42 seanca kryesore të planifikuara, më shumë se gjysma nuk u mbajtën. Arsyeja më e shpeshtë e shtyrjes ishte mungesa e dëshmitarëve të akuzës, ndërsa gjatë gjashtë viteve të gjykimit, FHP njoftoi se u morën në pyetje vetëm 14 dëshmitarë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit