Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, ka komentuar paralajmërimet për protesta të studentëve lidhur me zgjidhjen ligjore për dhënien e provimit të jurisprudencës, duke thënë se kundërshtimi nuk përfaqëson mendimin e të gjithë studentëve.
Në emisionin „ZOOM” të gazetarit Ersan Pajaziti në TVM2, Sulejmani pretendoi se disa nga studentët që janë më të zëshëm në kundërshtimin e tyre kanë qenë të pranishëm edhe në akademitë politike të BDI-së.
Ai theksoi se bëhet fjalë për qëndrime personale të disa individëve dhe jo domosdoshmërisht për qëndrimin e të gjithë studentëve.
„Ne dimë plot studentë që pajtohen me këtë vendim”, deklaroi Sulejmani.
Duke folur për mbështetjen ndaj zgjidhjes së qeverisë, ai rikujtoi edhe takimin në Ministrinë e Drejtësisë, ku sipas tij, studentët e pranishëm e kishin cilësuar këtë zgjidhje si një arritje historike.








