Koneski: Të rinjtë duhet të jenë pjesëmarrës aktivë në krijimin e politikave që u dedikohen atyre

Advertisement

Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, kryetari i Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së, Todor Koneski, theksoi se studentët nuk duhet të jenë vetëm përfitues të politikave, por edhe pjesëmarrës aktivë në krijimin e tyre.

Në një konferencë për media, Koneski vlerësoi se periudha studentore është një nga etapat më të rëndësishme në jetën e njeriut, ku krahas dijes formohen qëndrimet, miqësitë, ambiciet dhe idetë e para serioze për të ardhmen.

Ai tha se studentët sot kanë nevojë për arsim cilësor, teknologji moderne, mundësi për hulumtim, kushte të denja jetese dhe ndjenjën se puna dhe potenciali i tyre vlerësohen.

Sipas tij, çështjet që më së shumti i preokupojnë studentët janë mundësia për të siguruar pajisje elektronike për mësim, mbështetja për shujtën studentore, bursat, kushtet në konviktet studentore dhe transporti.

Koneski theksoi se përmirësimi i standardit studentor duhet të mbështetet me masa konkrete, si subvencionimi i pajisjeve elektronike, shujta studentore e subvencionuar, bursat, investimet në konvikte, transporti falas dhe qasja në bazat ndërkombëtare shkencore.

Ai veçoi edhe propozimin për rritjen e mbështetjes mujore për shujtën studentore në 4.500 denarë, si dhe vendosjen e një modeli digjital për përdorimin e mjeteve për ushqim, me zbritje shtesë në markete dhe objekte hotelierike të përfshira në sistem.

Kryetari i UFR-së theksoi se universiteti nuk është vetëm vend ku jepen provime, por edhe hapësirë ku zhvillohet mendimi kritik, shkëmbehen ide dhe krijohen vlera demokratike.

“Besojmë se të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm shfrytëzues të politikave që miratohen për ta, por pjesëmarrës aktivë në krijimin e tyre”, deklaroi Koneski.

Në fund të mesazhit të tij, ai ua uroi studentëve Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, duke i inkurajuar të ruajnë kureshtjen, guximin për të bërë pyetje dhe lirinë për të krijuar përgjigjet e tyre, si bazë për ndërtimin e një shoqërie më të fortë dhe më të suksesshme.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit