Mbasditen e sotme një stuhi e fuqishme ka përfshirë Shkupin, ndërsa errërat e forta kanë shkaktuar dëme materiale në zonën qendrore të qytetit. Nga një ndërtesë në bulevardin “Aradhat Partizane” është shkëputur një pjesë e konstrukcionit të çatisë.
Erërat e fuqishme, të shoqëruara me shi dhe vetëtima, kanë shkaktuar probleme në disa lokacione të kryeqytetit, ndërsa qytetarët po raportojnë për dëme të ndryshme të shkaktuara nga moti i lig.
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DHMH), territori i vendit është nën ndikimin e një mase ajrore të paqëndrueshme, për çka priten reshje lokale shiu, vetëtima dhe erë e forcuar. Në vende të caktuara janë të mundshme procese më intensive me shi të rrëmbyeshëm, shkarkime të forta elektrike dhe breshër afatshkurtër.
Nga DHMH paralajmërojnë se gjatë stuhisë janë të mundshme përforcime të menjëhershme të erës, për çka qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shmangun lëvizjen në afërsi të konstrukcioneve të paqëndrueshme, pemëve dhe bilboardeve reklamuese.
Shërbimet kompetente ndodhen në teren dhe po verifikojnë nëse ka pasoja shtesë nga stuhia e fuqishme që përfshiu kryeqytetin.






