Kompania Lidl Maqedonia e Veriut ka vendosur sot gurthemelin për ndërtimin e marketit të ri në Strumicë, duke shënuar fillimin zyrtar të investimit në këtë qytet. Projekti është pjesë e zgjerimit të rrjetit të kompanisë në vend dhe synon krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.
Drejtori operativ i Lidl Maqedonia e Veriut, Rubrijan Haxhiev, deklaroi se kompania deri më tani ka investuar mbi 200 milionë euro në infrastrukturë moderne logjistike dhe tregtare në vend.
“Çdo market i ri nënkupton vende të reja pune dhe mundësi të reja për furnizuesit lokalë. Vitin e kaluar eksporti i produkteve maqedonase përmes rrjetit të Lidl arriti në 15.5 milionë euro, ndërsa me hapjen e objekteve të reja këto mundësi do të rriten edhe më shumë”, tha Haxhiev.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, vlerësoi se investimi është dëshmi e përmirësimit të klimës së biznesit në vend.
Ai theksoi se ardhja e një prej brendeve më të mëdha botërore në tregtinë me pakicë do të kontribuojë në rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës dhe zgjerimin e plasmanit të produkteve maqedonase, veçanërisht të atyre bujqësore nga rajoni i Strumicës.
Edhe kryetari i Komunës së Strumicës, Petar Jankov, e cilësoi projektin si një investim të rëndësishëm për qytetin.
“Sjell vende të reja pune dhe partneritete të reja për kompanitë lokale. Komuna mbetet e hapur për investime që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve”, u shpreh Jankov.
Ndërkaq, drejtori për patundshmëri i Lidl për Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, Biser Inçovski, bëri të ditur se objekti do të ndërtohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për efikasitet energjetik dhe ndërtim të qëndrueshëm.
Ai shtoi se 20 për qind e parcelës do të jetë e gjelbëruar, ndërsa në realizimin e projektit janë angazhuar ekskluzivisht kompani vendore të ndërtimit.
Karakteristikat e marketit të ri Lidl në Strumicë:
- Sipërfaqja totale: 2.445 m²
- Hapësira e shitjes: 1.500 m²
- 111 vende parkimi
- 20% sipërfaqe e gjelbëruar
- Ndërtim sipas standardeve më të larta të efikasitetit energjetik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Lidl njoftoi gjithashtu se po vazhdon fushatën për punësimin e stafit në markete dhe në qendrën logjistike, ndërsa të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës së kompanisë.
Lidl është pjesë e Schwarz Group, një nga grupet më të mëdha tregtare në Evropë, me rreth 12.900 markete në 31 shtete dhe mbi 395 mijë të punësuar në mbarë botën.





