Policia dhe Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit kanë nisur hetime lidhur me dyshimet për ndotjen e ujit të pijshëm që furnizon qytetin e Gostivarit.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, dje (16 korrik), rreth orës 18:20, inspektorët e Zyrës së Jashtme për Punë Kriminalistike në Gostivar, duke vepruar sipas udhëzimeve të një prokurori publik, kanë ndërmarrë masa urgjente në terren në fshatin Vërtok për të verifikuar dyshimet.
Policia njofton se ekzistojnë baza dyshimi se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tre pompa në shtratin e ujërave të ndotura, përmes të cilave uji është futur drejtpërdrejt në gypin kryesor të furnizimit të qytetit. Sipas dyshimeve, ky veprim është ndërmarrë për të rritur presionin në rrjet, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
SPB Tetovë bën të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Ndotja e ujit të pijshëm”, të paraparë dhe të dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal.
Në hetimin e rastit, krahas policisë dhe prokurorisë, janë përfshirë edhe Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si dhe një ekspert i licencuar, i cili do të kryejë vlerësimin profesional të sistemit të dyshuar se është vendosur në kundërshtim me ligjin.





