Sot shënohet Dita e Tokës, një nismë ndërkombëtare, qëllimi kryesor i së cilës është të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e planetit. Dita e Tokës festohet çdo 22 Prill dhe u festua për herë të parë në vitin 1970 në Shtetet e Bashkuara, transmeton Portalb.mk.
Senatori Gejlord Nelson mori idenë për organizimin e kësaj dite pasi pa dëmin e shkaktuar nga derdhja e 11 milionë litrave naftë në Oqeanin Paqësor, e cila ndodhi për shkak të një mosfunksionimi të një platforme nafte pranë Santa Barbara, Kaliforni.
Dita e Tokës tradicionalisht festohet me aksione të shumta në mbarë botën, si grumbullimi i plehrave, mbjellja e pemëve, shëtitjet e protestave nga aktivistët e klimës dhe punëtoritë edukative.
Rritja e popullsisë së Tokës dhe industrializimi i përshpejtuar çojnë në ndotjen e ajrit, tokës dhe ujit. Në njëqind vitet e fundit, planeti Tokë ka përjetuar ndotje më të madhe se në miliona vjet. Sjellja e papërgjegjshme njerëzore ka çuar në ndryshimin e klimës, ngrohjen globale dhe zhdukjen e shumë specieve bimore dhe shtazore nga faqja e Tokës.
Natyrisht, aktivitete të këtij lloji nuk mjaftojnë vetëm në ditët e shënuara ndërkombëtare për mbrojtjen e planetit. Angazhimi i përditshëm, përdorimi i duhur dhe racional i burimeve natyrore dhe përgjegjësia ndaj natyrës, vendi ynë i vetëm për të jetuar, janë të domosdoshëm.
Dita e Tokës është një mundësi për çdo banor të planetit që të kontribuojë për ta bërë atë më të pastër dhe më të bukur. Vetëm një mjedis i shëndetshëm dhe i pastër mund të na sigurojë një jetë cilësore.



