Shkup, 26 qershor – Sindikata e Kulturës e Republikës së Maqedonisë (SKRM) ka nisur procedurë para Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP). Nga sindikata thonë se për më shumë se një vit, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, nuk është ulur në tryezën e negociatave me sindikatat.
“Në vend të kësaj, situata u përshkallëzua deri në atë pikë sa, për shkak të mosrespektimit të të drejtave të përcaktuara me Kontratën Kolektive, SKRM u detyrua të paraqesë rreth 800 padi kundër institucioneve. Ndërkohë, iniciativa e paraqitur nga një ‘qytetar i shqetësuar’ u pranua nga Gjykata Kushtetuese, e cila tani pritet të vendosë për shfuqizimin ose anulimin e Kontratës Kolektive për Kulturën. Pas prezantimit të detajeve, morëm rekomandim nga përfaqësuesit e ONP-së që ankesën ta paraqesim para Komitetit për Lirinë e Asociimit. Kjo është ankesa e dytë nga Republika e Maqedonisë para këtij Komiteti”, thonë nga sindikata.
Ata shtojnë se përfaqësuesit e ONP-së, jozyrtarisht, kanë shprehur vetë shqetësim serioz për mënyrën se si shteti po sillet ndaj të punësuarve në kulturë.
“Sipas deklaratave të tyre jozyrtare, përpjekje të tilla për të anashkaluar negociatat kolektive nuk kanë hasur as në vende si India, Bangladeshi apo Vietnami. Nëse Gjykata Kushtetuese e shfuqizon Kontratën Kolektive në një proces kaq të imponuar dhe pa precedent, kjo nuk do të jetë vetëm një goditje e rëndë për të punësuarit në kulturë, por edhe një goditje serioze për reputacionin ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë, e cila mund të cilësohet si ‘shkatërruese e negociatave kolektive’ dhe të bëhet shteti i dytë në Evropë që ka shfuqizuar një kontratë kolektive”, theksojnë nga sindikata.
Njëkohësisht, SKRM ka kërkuar edhe ndërmjetësim nga ONP në këtë rast.
Ata sqarojnë se pas ndërhyrjes së kryeministrit Hristijan Mickoski, Ministria e Kulturës dhe Turizmit pranoi të rikthehet në tryezën e negociatave me SKRM-në dhe SASHK-un, por sipas tyre, rrjedha e deritanishme e bisedimeve lë përshtypjen se, në vend që të kërkohet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, po tentohet sërish të imponohen qëndrime të paracaktuara.
“Sot këto qëndrime paraqiten përmes tekstit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ministri e interpreton si ‘vijën e tij të kuqe’, pavarësisht propozimeve të shumta konstruktive të paraqitura nga sindikatat. SKRM mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të negociatave, por e bën të qartë se nuk do të pranojë ultimatume të çfarëdo lloji”, thuhet në reagimin e SKRM-së. përcjell Zhurnal.mk .





