2026 – 21:18

Prishtina Gastronomy Festival vazhdoi mbrëmë me një tjetër natë të mbushur me muzikë dhe atmosferë festive, ku protagonisti i mbrëmjes ishte këngëtari i mirënjohur Sinan Vllasaliu. Në sheshin “Adem Jashari”, qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën për të shijuar koncertin e artistit, duke e shndërruar edhe natën e tretë të festivalit në një festë të madhe të muzikës dhe gastronomisë, shkruan KultPlus.
I pritur me duartrokitje të ngrohta, Vllasaliu solli në skenë një repertor që ndër vite është bërë pjesë e kujtesës muzikore të publikut shqiptar. Interpretimet e tij u shoqëruan nga zëra të shumtë që këndonin bashkë me artistin, ndërsa atmosfera u bë edhe më e veçantë nga energjia që mbizotëroi gjatë gjithë koncertit.
Gjatë mbrëmjes, Sinan Vllasaliu interpretoi disa prej këngëve të tij më të njohura, ndër to “Sonte ti po bëhesh nuse”, “Sa shumë vite”, “Ti më je si një pikë loti”, “Tani fotografia” dhe “Magdalena”, si dhe hite të tjera që u pritën me entuziazëm nga publiku. Refrenet e këngëve u kënduan njëzëri nga të pranishmit, ndërsa shumë prej tyre vallëzuan gjatë gjithë koncertit.
Atmosfera në sheshin “Adem Jashari” ishte e gjallë nga fillimi deri në fund të mbrëmjes. Familje, të rinj e vizitorë të shumtë u bënë pjesë e festës, duke shijuar njëkohësisht muzikën, vallet spontane dhe ofertën gastronomike që vazhdon të jetë një nga atraksionet kryesore të festivalit.





