Siljanovska: Diaspora është e diskriminuar! Një njësi zgjedhore është zgjidhje e mirë

Advertisement

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova mendon se diasporës duhet t’i krijohen kushte për të votuar dhe se zgjidhjet aktuale në Kodin Zgjedhor krijojnë trajtim të pabarabartë të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Sipas saj, diaspora në këtë pjesë është e diskriminuar, ndërsa Kushtetuta e përcakton qartë të drejtën e votës.

“Kur bëhet fjalë për diasporën, ndonjëherë tronditem nga ajo që dëgjoj. Sipas Kushtetutës sonë, e drejta e zgjedhjes, si aktive ashtu edhe pasive, lidhet me shtetësinë. Është e pamundur t’i dërgojmë në vendvotime, është shumë, ne nuk kemi mundësi dhe vetëm në konsullata dhe ambasada, gjë që është e pamundur në disa vende. Atëherë çfarë bëhet? Ose përdoret votimi me postë, ose votimi elektronik dhe kështu me radhë”, theksoi Gordana Siljanovska Davkova – presidente e RMV-së.

Për vërejtjet e opozitës se në propozimin e pushtetit, fillimisht për votimin elektronik dhe më pas për votimin me postë, nuk janë paraparë mekanizma mbrojtës dhe se në këtë mënyrë mund të ketë manipulime zgjedhore, Siljanovska tha se pikërisht nga ata është realizuar regjistrimi i popullsisë në mënyrë elektronike. Ajo foli edhe për çështje të tjera të hapura, siç është një njësi zgjedhore dhe financimi i partive gjatë zgjedhjeve.

 “Sa u përket vërejtjeve të tjera, pra një njësi zgjedhore është një zgjidhje e mirë, ndërsa sa i përket çështjeve të tjera rreth reklamimit politik dhe kështu me radhë, gjithashtu duhet të arrihet konsensus. Ka shtete ku nuk ka reklamim politik të paguar”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova – presidente e RMV-së.

Nga LSDM-ja reaguan se nëse presidentja Siljanovska është për zgjedhje të drejta, atëherë pse nuk tregon qartë se cilat janë problemet me votimin elektronik. Sipas Bogdanka Kuzeskës, zëdhënëse e LSDM-së, VMRO-DPMNE-ja vazhdimisht përpiqet t’ia kalojë fajin dikujt tjetër për Kodin Zgjedhor.

 “Pikërisht VMRO-DPMNE-ja dhe Hristijan Mickoski janë ata që kërkojnë alibi. Krijojnë konflikt artificial rreth Kodit Zgjedhor, shohim se qëllimisht shtyjnë dispozita kontestuese për vjedhje zgjedhore, për ta fshehur dështimin e tyre me Agjendën e Reformave dhe për ta bllokuar plotësisht rrugën evropiane”, u shpreh Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

Kryeministri Mickoski, në një postim në Facebook, shkroi se në Bashkimin Evropian është dorëzuar dokumenti me detyrimet e përmbushura nga Agjenda e Reformave, edhe pse, siç theksoi opozita, ajo u përpoq ta ngadalësojë këtë proces përmes bllokimit të Kodit Zgjedhor. Nga VMRO-DPMNE kanë qëndrim se në këtë mënyrë ata janë përpjekur të paraqiten si viktima.

 “VMRO-DPMNE-ja si parti në pushtet ua pranon të gjitha kërkesat opozitarëve, vetëm që diaspora të mund të votojë në mënyrë më të lehtë. Pikërisht këtë koalicioni i Lidhjes Socialdemokrate, Levicës dhe BDI-së e refuzoi”, theksoi Valentin Manasievski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Afati i fundit që Maqedonia e mori shtesë për miratimin e Kodit Zgjedhor përfundoi të mërkurën, me çka vendi humbi 4.2 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit