Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e 2 Gushtit – Ilindenit, Ditës së Republikës, uroi qytetarët duke e cilësuar këtë datë si ditën më të shenjtë në historinë maqedonase dhe simbol të lirisë, shtetësisë dhe idealeve republikane.
Në mesazhin e saj, ajo theksoi se Ilindeni i vitit 1903 dhe ASNOM-i i vitit 1944 përfaqësojnë themelet e shtetit, duke nënvizuar se këto ngjarje historike obligojnë brezat e sotëm të jenë trashëgimtarë të denjë të sakrificës së paraardhësve.
Siljanovska-Davkova bëri thirrje për unitet, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo politike, duke kërkuar angazhim të përbashkët për ndërtimin e një Republike demokratike, evropiane dhe të bazuar në sundimin e ligjit.
Ajo theksoi gjithashtu nevojën për luftë kundër dhunës, korrupsionit dhe krimit, për një administratë efikase, shoqëri civile aktive dhe gazetari objektive.
Në përfundim të urimit, presidentja porositi që shteti të ndërtohet si një shtëpi e qytetarëve të lumtur, duke ua uruar të gjithë qytetarëve festën e Ilindenit.






