Siljanovska-Davkova: Pensionimi nuk është fundi i jetës aktive, 312 pensionistë garojnë në Ohër

Advertisement

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, sot në Ohër mori pjesë në hapjen e Lojërave Sportive Republikane të Pensionistëve 2026, të organizuara në kuadër të shënimit të 80-vjetorit të organizimit të pensionistëve në vend dhe Ditës së Pensionistëve, që shënohet më 20 shtator.

“Logjikisht është të jem mes jush, sepse edhe unë jam njëra prej jush”, tha presidentja, duke theksuar se pensionimi nuk duhet të shihet si përfundim i jetës aktive, por si fillimi i një etape të re, në të cilën dalin në pah urtësia, njohuritë dhe përvoja.

Siljanovska-Davkova theksoi rëndësinë e sportit, duke e cilësuar atë jo vetëm si aktivitet fizik, por edhe si ushtrim mendor që ndikon pozitivisht në shëndet, nxit shoqërimin dhe ndihmon që sukseset të përjetohen me gëzim, ndërsa dështimet të përballohen më lehtë.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se pensionistët duhet të kenë rol aktiv në hartimin e politikave dhe ligjeve që lidhen drejtpërdrejt me ta.

Presidentja përmendi edhe shembullin e Japonisë, ku jetëgjatësia është ndër më të lartat në botë, duke iu referuar filozofisë “ikigai”, sipas së cilës çdo person ka një arsye për të jetuar dhe qëllime që duhet t’i ndjekë.

Në fund, ajo u dëshiroi pjesëmarrësve garë të ndershme, konkurrencë sportive dhe suksese, duke shprehur shpresën që në të ardhmen të organizohen edhe shumë aktivitete të ngjashme.

Në ceremoninë e hapjes folën edhe kryetarja e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve të Maqedonisë, Stanka Trajkova, kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, kryetarja e Shoqatës së Pensionistëve të Sllovenisë, Zdenka Jan, si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Sportit, Ilija Risteski.

Në garat e këtij viti marrin pjesë gjithsej 312 garues nga 41 shoqata anëtare të Lidhjes.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit