Siljanovska-Davkova: Integrimi evropian është domosdoshmëri për sigurinë dhe zhvillimin e vendit

Advertisement

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, sot në Shkup iu drejtua Këshillit të Ambasadorëve.

Ajo theksoi se në realitetin e ri multipolar duhet të forcohet diplomacia proaktive, e udhëhequr nga një orientim i qartë kombëtar dhe mbipartiak në politikën e jashtme.

Siljanovska-Davkova vlerësoi se, në kushtet e dobësimit të multilateralizmit dhe rritjes së multipolaritetit, janë të nevojshme reforma institucionale në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane, me qëllim parandalimin ose reagimin e shpejtë ndaj kërcënimeve të sigurisë.

Sipas saj, integrimi evropian nuk është më vetëm çështje politike, por edhe një imperativ strategjik, ekonomik, energjetik, gjeopolitik, i sigurisë dhe demografik, si për vendet kandidate ashtu edhe për shtetet anëtare.

Ajo kërkoi një proces negociues të parashikueshëm dhe kredibil, të çliruar nga kushtëzimet dypalëshe.

Duke folur për rolin e rrjetit diplomatik, presidentja theksoi se ambasadorët janë imazhi i shtetit në arenën rajonale, evropiane dhe botërore. Sipas saj, profesionalizmi, kompetenca dhe njohja e vendit pritës janë thelbësore për kredibilitetin e diplomacisë maqedonase.

Siljanovska-Davkova theksoi gjithashtu nevojën për diplomaci më të fuqishme ekonomike, shkencore, teknologjike dhe kulturore, si dhe për lidhje më të forta me diasporën.

Ajo u shpreh se krijimi i kushteve që të rinjtë të qëndrojnë në vend është shumë i rëndësishëm, ndërsa kërkoi edhe krijimin e një klime që do të mundësonte kthimin e atyre që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Në fund, presidentja vlerësoi se në kohën e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike nevojitet një diplomaci njëkohësisht parimore dhe pragmatike, e bazuar në vlera, por e hapur ndaj realiteteve të reja dhe e aftë për të mbrojtur interesin kombëtar me dije dhe dinjitet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit