Autoritetet shëndetësore kanë ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor. Sipas të dhënave të fundit, në vend janë konfirmuar 44 raste, prej të cilave 5 persona kanë humbur jetën, ndërsa 25 janë shëruar.
Sipas institucioneve të shëndetit publik, një pjesë e pacientëve të hospitalizuar kanë shfaqur simptoma neurologjike, të cilat mund të shfaqen në rastet më të rënda të infeksionit.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, u bëri thirrje qytetarëve që në rast të shfaqjes së simptomave si temperaturë e lartë, mpirje të qafës, çorientim, lodhje ose dridhje muskulore, të kontaktojnë menjëherë mjekun amë.
Klekovski theksoi se sistemi shëndetësor është i përgatitur për trajtimin dhe monitorimin e rasteve të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor.






