Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se është duke vijuar rregullimi dhe pajisja e kabineteve të reja të matematikës dhe fizikës, si dhe laboratorëve për kimi dhe biologji në shkollat e mesme të qytetit.
Sipas Gjorgjievskit, projekti përfshin pajisje të reja mësimore, mjete moderne, teknologji interaktive dhe mobilie të reja shkollore, të përshtatura për nevojat e nxënësve dhe mësimdhënësve.
Ai theksoi se qëllimi është që mësimi të bëhet më praktik, interaktiv dhe më i kuptueshëm, duke u mundësuar nxënësve që njohuritë nga matematika dhe fizika t’i zbatojnë përmes modeleve, matjeve dhe eksperimenteve praktike.
Laboratorët e kimisë dhe biologjisë do të pajisen gjithashtu me mjete që do t’u mundësojnë nxënësve të zhvillojnë eksperimente dhe të vëzhgojnë drejtpërdrejt procese të ndryshme.
Gjorgjievski tha se panelet interaktive do të përdoren për prezantimin e koncepteve përmes videove, modeleve tredimensionale dhe simulimeve, me synim krijimin e një procesi më modern dhe efikas të mësimit.






