Shtyhet marshi “Jo në emrin tim” në Gostivar, pezullohen përkohësisht protestat

Advertisement

Këshilli Organizativ i Marshit Protestues “Jo në emrin tim” ka njoftuar shtyrjen e marshit të planifikuar për të premten, më 9 tetor, në Gostivar, deri në një njoftim të radhës, shkruan gazeta KOHA.

Sipas njoftimit, vendimi për të shtyrë përkohësisht organizimin e marsheve protestuese është marrë pas zhvillimeve të fundit. Këshilli thekson se ky vendim nuk nënkupton përfundimin e angazhimit në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

“Ky vendim nuk nënkupton përfundimin e angazhimit tonë. Këshilli Organizativ do të analizojë me kujdes rrethanat dhe momentet e reja të krijuara, si dhe zhvillimet e mëtejshme, për të vlerësuar hapat dhe format e ardhshme të veprimit”, thuhet në njoftim.
Këshilli falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen, mbështetjen dhe dinjitetin e treguar gjatë marsheve të deritanishme. Mirënjohje u shpreh edhe për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, shoqatat e dala nga lufta, partitë politike, përfaqësuesit fetarë, studentët, profesorët, intelektualët, artistët dhe organizatat e shoqërisë civile që iu bashkuan kauzës.

Organizatorët veçuan kontributin e pjesëmarrësve që, sipas tyre, mundësuan që mesazhi i protestave të përcillej në mënyrë paqësore, qytetare dhe dinjitoze. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit