Një shpërthim i fuqishëm i shkaktuar nga një zjarr i madh ka tronditur një zonë industriale në Essex të Britanisë së Madhe të premten, duke shkaktuar panik te banorët përreth.
Më shumë se 100 zjarrfikës u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa ekipet emergjente punuan për disa orë për të vënë situatën nën kontroll.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin dramatik kur shpërthimi goditi objektin industrial, duke krijuar një valë të fuqishme zhurme dhe tronditjeje që u ndje edhe në zonat përreth.
Në disa video shihen persona duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa një re e madhe tymi ngrihej mbi ndërtesën e përfshirë nga zjarri, shkruan bbc.
Shërbimi i zjarrfikësve në Essex e klasifikoi ngjarjen si një incident madhor, për shkak të përmasave të zjarrit dhe rrezikut të mundshëm nga shpërthimet e tjera.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve që të shmangin zonën dhe, për ata që jetojnë pranë saj, të mbajnë dyert dhe dritaret të mbyllura për të shmangur ndikimin e tymit dhe ndotjes së ajrit.
Ekipet e emergjencës u përqendruan në izolimin e zjarrit dhe në parandalimin e përhapjes së tij në ndërtesat apo objektet përreth. Për momentin nuk janë raportuar rreziqe të mëtejshme për komunitetin, ndërsa autoritetet vazhdojnë të hetojnë shkaqet e shpërthimit dhe të zjarrit.






