Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka publikuar një video në profilin e tij në Facebook, përmes së cilës njofton se ka nisur rikonstruksioni i plotë i shatërvanit nëntokësor në Sheshin “Maqedonia”, një prej simboleve më të njohura të kryeqytetit.
Sipas Gjorgjievskit, shatërvani, i cili për vite me radhë ka qenë një nga vendet më të frekuentuara nga qytetarët, turistët dhe vizitorët, ishte lënë pas dore për një periudhë të gjatë. Ai thekson se tashmë po realizohet një zgjidhje e përhershme dhe jo vetëm një riparim i përkohshëm.
Në njoftimin e tij, kryetari bën të ditur se bëhet fjalë për një sistem kompleks me pajisje të specializuara të prodhuara në Gjermani, të cilat kërkojnë automatizim dhe kalibrim të plotë për rikthimin e funksionalitetit të shatërvanit.
Paralelisht me servisimin e pajisjeve, po kryhen edhe ndërhyrje konstruktive. Konstrukcioni i vjetër mbajtës, i përbërë nga elemente plastike që mbanin pllaka betoni me peshë rreth 100 kilogramë secila, po zëvendësohet me një konstruksion të ri prej çeliku inox, i projektuar për të përballuar ngarkesa shumë më të mëdha mekanike.
Sipas Gjorgjievskit, me këtë investim do të rritet ndjeshëm stabiliteti, siguria dhe jetëgjatësia e të gjithë sistemit.
Ai shton se pas përfundimit të punimeve, shatërvani do të rikthehet si një vendtakim për qytetarët, hapësirë për fëmijët, turistët dhe vizitorët, duke i kthyer gjallërinë Sheshit “Maqedonia” dhe duke u bërë sërish një nga pamjet më karakteristike të qendrës së Shkupit.
Njëkohësisht, po zëvendësohen edhe pllakat e dëmtuara në segmentin nga Porta “Maqedonia”, me synimin që qendra e qytetit të marrë një pamje më të rregullt, më të pastër dhe më dinjitoze.
Në fund të mesazhit të tij, Gjorgjievski thekson se administrata e qytetit po punon hap pas hapi për t’ia rikthyer shkëlqimin Shkupit, duke premtuar se kryeqyteti do të rregullohet deri në detajin më të vogël.






