Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut që sapo i kanë mbushur 18 vjet dhe për herë të parë kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe ato parlamentare që pritet të mbahen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, shumë pak i njohin udhëheqësit politikë. Ata thonë se nuk kanë njohuri as për politikat që promovojnë partitë e caktuara politike të vendit.
Në një situatë të këtillë, të rinjtë thonë se vendimin do ta marrin nga sugjerimet e prindërve.
“Duhet të mësoj pak më shumë për njerëzit në politikë, pak nga familja, pak nga rrethi i ngushtë, pak nga shoqëria dhe kështu do të mundohem maksimalisht që votën time t’ia jap atij që e meriton”, thotë Saletin Abdiu, që në zgjedhjet që pritet të mbahen vitin e ardhshëm ka të drejtën e votës për herë të parë.