Nga 4 deri më 7 qershor, Sheshi Skënderbeu në Shkup do të shndërrohet në një hapësirë të veçantë të njohur si shtëpia e librit shqip. Panairi i Librit Shqiptar nuk është thjesht një ekspozim botimesh, por një akt simbolik që e vendos kulturën shqiptare në zemër të kryeqytetit. Fjala, kultura dhe dashuria për librin bëhen ura që lidhin shqiptarët mes veti dhe me botën. Dhe, kjo po ndodhë në momentin kur debati është në kulminacion rreth gjuhës shqipe e të drejtave të shqiptarëve në Shkup, shkruan Zhurnal.
Cila është rëndësia e këtij panairi?
Në një kohë kur librat shpesh po rrezikohen nga teknologjia digjitale dhe rrjetet sociale, organizimi i një panairi të tillë në Shkup merr një domethënie të shumëfishtë.
Nga aspekti kulturor afirmon gjuhën dhe letërsinë shqipe si pjesë të pandashme të identitetit kolektiv. Derisa nga qasja shoqërore krijon një hapësirë të përbashkët ku lexuesit, autorët, botuesit dhe studentët takohen, debatojnë dhe frymëzohen.
Kjo mbase ka munguar gjatë kohë në vendin tonë, kjo është kërkesa për të cilën ankohen më së shumti studiuesit se mungon një vend një shkas dhe një moment për të shkëmbyer mendime dhe ide e për të takuar njerëz të rrugëtimit të njëjtë.
Ndërkaq, nga aspekti politik fakti që ky panair mbahet në Sheshin Skënderbeu flet për një simbol të historisë shqiptare, është një mesazh për praninë dhe dinjitetin kulturor të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ka vende ku librat qendrojnë në rafte, e ka vende ku librat dalin në shesh dhe i bashkojnë njerëzit. Kësaj radhe, në Çair po përgatitet një ngjarje që sjell fjalën e shkruar mes qytetit, mes lexuesve, autorëve dhe dashamirësve të librit. Sheshi do të mbushet me faqe, ide, takime dhe histori që krijojnë një atmosferë të veçantë kulturore”, ka shkruar kryetari i Komunës së Çairit, dhe bashkëkryetar i VLEN-it, Izet Mexhiti.
Çfarë sjellë ky panair?
Ky panair nuk është vetëm një ngjarje festive, por edhe një akt rezistence kulturore. Në një shoqëri ku shpesh dominon narrativi njëanshëm, libri shqip është mjet i fuqishëm për të ruajtur gjuhën, për të ndërtuar mendim kritik dhe për të forcuar vetëdijen kombëtare.
Për lexuesit, është një mundësi për të zgjeruar horizontin dhe për të gjetur veten në rrëfime që flasin shqip. Por për autorët është një skenë ku fjala e tyre merr vlerë publike dhe ku krijimtaria bëhet pjesë e dialogut shoqëror.
Për Komunën e Çairit si organizatore e këtij panairi është një arritje ose fakt e argument se sa mbështesin realisht kulturën shqipe dhe se a e shohin librin si prioritet.
E rëndësishme është që ky panair të kthehet në traditë të përvitshme, pasi vetëm kështu krijohet një infrastrukturë kulturore që i jep gjuhës dhe letërsisë shqiptare një vend të qëndrueshëm në jetën publike.
Sheshi Skënderbeu si “shtëpia e librit shqip” është dëshmi se libri nuk është vetëm objekt leximi, por shtëpi e identitetit. Pasi ruan kujtesën, ndërton të ardhmen dhe bashkon shqiptarët përtej kufijve. Ky panair është një thirrje që kultura të mos mbetet periferike, por të vendoset në qendër të jetës qytetare.
Kujtojmë që, Panairi i Librit Shqiptar në Shkup është më shumë se një ngjarje kulturore është një manifestim i dinjitetit gjuhësor dhe kulturor. Në një kohë kur politika shpesh ndan libri ka fuqinë të bashkojë kjo është parë e do të shihet sërish. Prandaj, nga 4 deri më 7 qershor, Sheshi Skënderbeu nuk është vetëm shesh por është shtëpia e përbashkët e shqiptarëve e ndërtuar mbi fjalën dhe kulturën. /Zhurnal.mk





