Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj në postin e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Urime të përzemërta, Albulena Haxhiu, për zgjedhjen tuaj në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Të udhëheqësh Kuvendin është një përgjegjësi e madhe dhe një nder i veçantë. Besoj se me përvojën, përkushtimin dhe integritetin tuaj do t’i shërbeni forcimit të demokracisë, institucioneve dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, ka shkruar Shasivari.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përfaqësimit të grave në institucionet më të larta shtetërore, duke e cilësuar zgjedhjen e Haxhiut si dëshmi të kontributit të gruas në jetën institucionale.
Shasivari i ka uruar Haxhiut sukses në detyrën e re, ndërsa ka theksuar edhe rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Marrëdhëniet e afërta mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës janë të ndërtuara mbi miqësi, respekt dhe interesa të përbashkëta. Jam i bindur se edhe në këtë mandat do të vazhdojmë t’i forcojmë këto raporte”, ka theksuar Shasivari.






