Jeton Shasivari ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të KING ICT Maqedoni, ku në fokus ka qenë avancimi i digjitalizimit dhe sigurisë së teknologjisë informative në sistemin gjyqësor.
Në takim morën pjesë drejtori i KING ICT Maqedoni, Vlatko Petrevski, menaxherja e projektit Maja Lazarova dhe asistentja e projektit Marija Jorgaqievski.
Sipas Shasivarit, gjatë takimit u diskutuan aktivitetet në kuadër të komponentit IPA III për digjitalizimin e institucioneve shtetërore në fushën e gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të menaxhimit të TI-së, përmbushjes së objektivave të projektit dhe zbatimit të masave të sigurisë sipas standardeve ndërkombëtare.
Shasivari theksoi se synimi është krijimi i një sistemi gjyqësor më efikas dhe më të sigurt, me përdorim të teknologjive moderne dhe mbrojtje më të mirë të të dhënave dhe proceseve digjitale.






