Sali në Tiranë prezanton progresin e Maqedonisë së Veriut në agjendën e reformave të BE-së

Advertisement

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, ka marrë pjesë në takimin ministror për integrimin evropian, të mbajtur më 26 nëntor në Tiranë, në kuadër të Samitit për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë sesionit kushtuar rezultateve dhe përshpejtimit të zbatimit të reformave, Sali prezantoi progresin e Maqedonisë së Veriut në realizimin e Agjendës së Reformave. Ai bëri të ditur se vendi ka siguruar 142,1 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, ndërsa 22 hapa reformues, me vlerë të përgjithshme mbi 112 milionë euro, janë përfshirë në kërkesën e katërt për mjete dhe presin vlerësimin e Komisionit Evropian.

Sali theksoi se përfitimet nga integrimi evropian tashmë janë të matshme. Deri në shtator të vitit 2026, përmes Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) janë realizuar mbi 581 mijë transaksione, me vlerë rreth 11 miliardë euro, duke mundësuar kursime të vlerësuara në mbi 5 milionë euro.

Në fjalimin e tij, ai foli edhe për modernizimin e pikave kufitare Deve Bair, Bllacë dhe Bogorodicë, integrimin në zinxhirët evropianë të vlerës, digjitalizimin dhe turizmin e qëndrueshëm.

Ai prezantoi gjithashtu rezultatet e iniciativës WiFi4WB, me mbi 204 mijë përdorues unikë, si dhe potencialin e projekteve DigitMAK dhe Vezilka në fushën e transformimit digjital dhe inteligjencës artificiale.

Në fund, Sali theksoi nevojën për mbështetje financiare të parashikueshme edhe pas vitit 2027, si dhe për lidhje më të ngushtë mes reformave, investimeve dhe qasjes në tregun e përbashkët evropian. Ai rikonfirmoi se integrimi gradual dhe bashkëpunimi rajonal duhet të forcojnë procesin e anëtarësimit, ndërsa anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit