Organi kombëtar i studentëve kumtoi se nga rreth 7.000 studentë që iu përgjigjën anketës online në lidhje me modelin e ri të kuponëve të ushqimit të subvencionuar për shujtën studentore, 97 për qind mbështetën një rritje të shumës në 4.500 denarë në muaj ose rreth 180 denarë në ditë, pavarësisht nga vendosja e modelit të ri, ndërsa 79,5 për qind preferojnë modelin ekzistues me karta pagese.
Sipas kryetares së Organit kombëtar të sudentëve, Angela Vasilevska, në periudhën e kaluar, fokusi i publikut ka qenë në zgjidhjen e re sistemike, ndërsa jo në atë që, tha ajo, u takon ligjërisht dhe është me rëndësi parësore për studentët – shuma aktuale ditore prej 140 denarësh të rritet në rreth 180 denarë, gjegjësisht shuma të harmonizohet me normën e inflacionit.
Vasilevska në një konferencë për shtyp theksoi se studentët po kërkojnë më shumë para për ushqime të subvencionuara menjëherë, ndërsa jo nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik, kur Qeveria po planifikon një model të ri – një aplikim me shumë përfitime dhe zbritje gjatë blerjes së ushqimit nga operatorë të zgjedhur.
“Për tre vjet nuk është respektuar Ligji për subvencionimin e shujtës studentore dhe ne kërkojmë që shteti të fillojë të respektojë ligjin që e ka përcaktuar vetë – shuma duhet të rritet çdo vit sipas normës së inflacionit pas çdo viti fiskal. Unë tani jam në vitin e katërt të studimeve dhe deri më tani ushqimi i studentëve është rritur vetëm një herë, kur isha në vitin e parë. Studentët janë të uritur dhe janë lënë në baltë për tre vjet, shujta studentore duhet të rritet menjëherë. Në të gjitha bufet e fakultetit për 140 denarë, nuk mund të gjesh as një shujtë të pjesshme”, deklaroi Vasilevska.
Lidhur me privilegjet e paralajmëruara me modelin e ri, tha se shumë lokale hotelierike, restorante, furra buke dhe kompani tashmë ofrojnë zbritje dhe se kjo “nuk është një masë e re”, ndërsa për vendosjen e planifikuar e modelit nga tetori i vitit 2027 konsiderohet se është “një zvarritje dhe një vit tjetër i rritjes së çmimeve për studentët”.
Rezultatet e anketës me kërkesat e tyre sot do t’ia dorëzojnë MASH-së, tha, do të presin dy javë – javën e parë do të shqyrtohen kërkesat e tyre dhe shtatë ditë të tjera për të marrë një përgjigje. Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, paralajmëroi se studentët do të dalin në protestë.








