Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar popullin e Maqedonisë së Veriut me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.
“Në emër të popullit amerikan, dërgoj urimet më të ngrohta për popullin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa festoni 35 vjet pavarësi”, thuhet në urimin e Rubio, të publikuar në faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.
Rubio theksoi se Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë pranë Maqedonisë së Veriut si aleat dhe partner i besueshëm. Ai vlerësoi kontributin e vendit në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, përmes bashkëpunimit në mbrojtje, luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë kibernetike.
Sekretari amerikan përshëndeti gjithashtu rritjen e partneritetit ekonomik mes dy vendeve, duke përmendur edhe Dialogun Strategjik të zhvilluar këtë vit në Uashington.
“Bashkë, i avancojmë mundësitë në energjetikë, infrastrukturë, teknologji dhe sektorë të tjerë për forcimin e prosperitetit në të dy vendet tona”, theksoi Rubio, duke uruar Maqedoninë e Veriut për paqe, siguri dhe prosperitet të vazhdueshëm.






