Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para të hënën, më 21 shtator, do të njoftojë aktivitetet e mëtejshme për mbrojtjen, certifikimin dhe promovimin e rubinit të Maqedonisë. Do të prezantohen hapat konkretë të ndërmarrë deri më tani, si dhe hapat e ardhshëm për vendosjen e sistemit për mbrojtjen dhe njohjen e rubinit të Maqedonisë – nga përcaktimi dhe dokumentimi i origjinës, përmes certifikimit dhe vendosjes së kritereve të qarta, drejt krijimit të mekanizmave për promovimin e tij autentik.
Fokus të veçantë do t’i kushtohet aktiviteteve për promovimin e tij ndërkombëtar.
Siç thonë nga Ministria, kjo do të jetë një mundësi që publiku dhe mediat të informohen drejtëpërdrejt se çfarë është bërë deri më tani, çfarë pritet të bëhet dhe si do të zhvillohet i gjithë procesi në periudhën e ardhshme.
Në ngjarje do të marrë pjesë ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, Sanja Bozhinovska, anëtarët e Komisionit të sapoformuar për rubinin e Maqedonisë, si dhe përfaqësues të Entit Gjeologjik, Entit për Pronësi Industriale, Ministrisë dhe institucioneve të tjerë të përfshirë në proces.
Ministrja Bozhinovska në qershor të këtij viti njoftoi se kishte mbërritur vendimi me të cilin edhe zyrtarisht mbrohet rubini i Maqedonisë si guri ynë, i Maqedonisë, gjysmë i çmuar.

Rubini që nxirret në Maqedoni është një unikë gjeologjike dhe estetike: njihet si korund me ngjyrë karakteristike mjedër-rozë, e cila shfaqet për shkak të pranisë së kromit në strukturën e tij kristalore. Gjendet ekskluzivisht në rrethinën e Prilepit dhe në malet e Mariovës, gjë që e bën atë rubinin e vetëm natyror në Evropën kontinentale që përpunohet lokalisht. Përveç vlerës së tij estetike dhe koleksionuese, rubini i Maqedonisë përfaqëson një pjesë të trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit – simbol i bukurisë natyrore dhe krenarisë kombëtare.
Aktivitetet për mbrojtjen e rubinit të Maqedonisë filluan në shtator të vitit 2025.






