Rritja marramendëse e Anthropic ndez alarmin, a po mbivlerësohet industria e AI-së?

Rritja shpërthyese e Anthropic po dëshmon se sa shpejt mund të krijohet kërkesa për modelet e mëdha gjuhësore të Inteligjencës Artificiale. Megjithatë, të supozosh se ky popullaritet do të vazhdojë pafundësisht mund të jetë një gabim i kushtueshëm, veçanërisht në një moment kur po shfaqen shenjat e para të lodhjes së korporatave nga investimet në AI.

Kompania pas asistentit Claude dhe mjetit të programimit Claude Code, e drejtuar nga Dario Amodei, gjeneroi 4.8 miliardë dollarë të ardhura gjatë tre muajve të parë të vitit. Për tremujorin që përfundon në qershor, kompania pret që kjo shifër të dyfishohet, duke arritur në 10.9 miliardë dollarë. Edhe më mbresëlënëse është pritshmëria që Anthropic të raportojë 559 milionë dollarë fitim operacional të rregulluar, duke shënuar tremujorin e parë fitimprurës sipas kësaj metode llogaritjeje. Në këtë shifër përfshihen kostot e trajnimit të modeleve të reja, por jo kompensimet në aksione për punonjësit.

Megjithatë, rruga drejt fitimit afatgjatë mbetet e vështirë. Infrastrukturat e nevojshme për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale kërkojnë investime kolosale. Serverët e mbushur me çipa të avancuar konsumojnë sasi të mëdha kapitali dhe energjie, çka do të thotë se shumë kompani të sektorit pritet të vazhdojnë të djegin para për vite me radhë. Një shembull është xAI, kompania e Elon Musk, e cila tashmë mund të analizohet më qartë falë dokumenteve publike të SpaceX, në prag të daljes së saj në bursë. Shpenzimet për kërkim dhe zhvillim të xAI, të cilat përfshijnë edhe kostot e trajnimit të modeleve, arritën në 2.4 miliardë dollarë gjatë tremujorit të parë, pothuajse trefishi i të ardhurave prej 818 milionë dollarësh.

Krahasimi mes kompanive të AI nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë. Mënyra se si raportohen të ardhurat mund të ndryshojë ndjeshëm nga një kompani te tjetra. Anthropic nuk i zbritet pjesa e të ardhurave që u takon partnerëve të shpërndarjes, ndërsa OpenAI raporton të ardhurat neto pas ndarjes së tyre me partnerin kryesor, Microsoft.

 

Për këtë arsye, pretendimi i Sam Altman se OpenAI gjeneroi 5.7 miliardë dollarë të ardhura në tremujorin e parë nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me shifrat e publikuara nga Anthropic. Kjo i lë investitorët me një panoramë ende të paplotë. Nga njëra anë, kërkesa për inteligjencën artificiale po rritet me ritme të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, shumë klientë të mëdhenj korporativë vazhdojnë të jenë në fazën e eksperimentimit dhe testimit. Ka kompani si Block, të cilat justifikuan shkurtime masive të vendeve të punës duke argumentuar se inteligjenca artificiale do të sillte rritje të madhe të produktivitetit. Por ka edhe raste si Uber, ku drejtori i teknologjisë, Praveen Neppalli Naga, deklaroi se kompania kishte konsumuar të gjithë buxhetin vjetor për AI që në muajin prill.

Edhe Microsoft duket se po tregohet më i kujdesshëm. Sipas raportimeve të The Verge, kompania po redukton përdorimin e Claude Code pasi kostot e përdorimit të tokenëve po rriten më shpejt sesa buxhetet e planifikuara. Nëse të ardhurat e Anthropic llogariten në mënyrë më konservatore, duke u bazuar në të gjithë gjysmën e parë të vitit dhe jo vetëm në tremujorin e dytë jashtëzakonisht të fortë, kompania do të arrinte rreth 31 miliardë dollarë të ardhura të vjetorezuara.

Përballë një vlerësimi të mundshëm prej 900 miliardë dollarësh, kjo nënkupton se Anthropic po vlerësohet pothuajse 30 herë më shumë se të ardhurat e saj vjetore. Kjo mund të duket e moderuar krahasuar me ambiciet e jashtëzakonshme të SpaceX, por krahasimi me kompani të tjera publike tregon se pritshmëritë mbeten shumë agresive. Palantir, një nga fituesit më të mëdhenj të valës së AI në sektorin e mbrojtjes, tregtohet me rreth 41 herë të ardhurat e saj, por kompania gëzon marzhe operative pranë 60%.

Anthropic, ndërkohë, pret një marzh operativ prej vetëm 5% në tremujorin e qershorit. Dhe as kjo nuk është e garantuar të ruhet, pasi kostot e trajnimit, infrastrukturës dhe energjisë vazhdojnë të rriten. Për momentin, entuziazmi i tregut për inteligjencën artificiale vazhdon të ushqejë vlerësime rekord. Por ndërsa investitorët kërkojnë prova konkrete se rritja mund të shndërrohet në fitime të qëndrueshme, pyetja kryesore mbetet e hapur: a po ndërtohet një industri me themele të forta ekonomike, apo tregu po projekton pritshmëri që mund të rezultojnë tepër optimiste?

Rritja e Anthropic është reale. Por siç paralajmërojnë analistët, ajo mund të përfaqësojë vetëm gjysmën e historisë së inteligjencës artificiale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit