Me shtimin e numrit të mërgimtarëve gjatë sezonit veror, në Tetovë është rritur ndjeshëm edhe sasia e mbeturinave, duke sjellë kontejnerë të mbushur tej mase dhe ankesa nga qytetarët për vonesa në grumbullimin e tyre.
Banorët thonë se temperaturat e larta e përkeqësojnë situatën, pasi mbeturinat lëshojnë erë të rëndë, ndërsa kërkojnë që ekipet e pastrimit të jenë më të pranishme në terren dhe të rrisin frekuencën e grumbullimit.
Një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se organizimi i shërbimit nuk është në nivelin e duhur, ndërsa të tjerë mendojnë se problem mbetet edhe mosshlyerja e rregullt e detyrimeve për shërbimet komunale. Ka edhe nga ata që konsiderojnë se, pavarësisht vështirësive, gjendja në Tetovë është më e mirë krahasuar me disa qytete të tjera.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pranoi se gjatë kësaj periudhe sasia e mbeturinave pothuajse dyfishohet. Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë më shumë kujdes gjatë hedhjes së mbeturinave dhe njoftoi se komuna është në koordinim të vazhdueshëm me kompaninë që menaxhon mbeturinat për të shtuar numrin e grumbullimeve.
Kasami rikujtoi gjithashtu se qytetarët mund të raportojnë përmes aplikacionit të komunës çdo lokacion ku grumbullohen mbeturina, në mënyrë që ekipet të ndërhyjnë edhe jashtë orarit të rregullt të punës.
Ndërkohë, nga muaji qershor kanë hyrë në fuqi çmime të reja për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave. Amvisëritë paguajnë rreth 20 për qind më shumë, ndërsa faturat për bizneset janë rritur me 50 për qind.






