Mbi 37 mijë aplikime janë regjistruar në gjashtë muaj për rivlerësimin e pronave, ndërsa në arkën e shtetit janë arkëtuar rreth 47 milionë euro.
Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, procesi i rivlerësimit ka sjellë një zhbllokim të kontratave dhe marrëveshjeve të shitblerjes, duke i dhënë një frymëmarrje tregut. Megjithatë, kjo nuk është reflektuar ende në rritjen e numrit të transaksioneve, por kryesisht në shtimin e pronave të nxjerra në shitje.
Të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tregojnë se interesi më i madh për rivlerësimin është në Tiranë dhe Durrës, dy qarqet ku çmimet e pronave kanë shënuar rritjen më të madhe. Rreth 70% e rivlerësimeve janë kryer me qëllim shitblerjen e pronës. Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e lënë procesin për momentin e fundit, pasi afati përfundimtar është 31 dhjetori.
Megjithatë, procesi vijon të shoqërohet me vështirësi teknike. Nga njëra anë, vlerësuesit e pasurive po hasin probleme me përdorimin e vulave elektronike, ndërsa nga ana tjetër shumë qytetarë nuk po arrijnë të ngarkojnë ose të finalizojnë dokumentacionin në e-Albania.
Sipas vlerësuesve të pasurive të paluajtshme, që në fazat e para u vu re se do të kishte pengesa teknike. Platforma ka pasur ndërprerje dhe mosfunksionime të herëpashershme, ndërsa procedurat elektronike nuk kanë qenë gjithmonë të qarta për përdoruesit. Këto vështirësi kanë sjellë vonesa, radhë pritjeje dhe pasiguri si për profesionistët, ashtu edhe për qytetarët.
Në disa raste, edhe pse dokumentacioni është i plotë dhe tarifat janë paguar, sistemi nuk e finalizon aplikimin për shkak të problemeve me verifikimin ose me vulat elektronike. Si pasojë, aplikantët detyrohen të përsërisin disa hapa të procedurës, duke shtuar kohën dhe kostot e procesit.
Afati për aplikimet për rivlerësimin e pronave është deri më 31 dhjetor. Tarifat e Kadastrës variojnë nga 3.500 deri në 10.000 lekë, në varësi të vlerës së rivlerësimit të pronës.






