Rreth 10.800 nxënës të shkollave të mesme nisin mësimin me programe të reja profesionale

Advertisement

Rreth 10.800 nxënës të regjistruar në vitin e parë të shkollave të mesme profesionale në Maqedoninë e Veriut këtë vit do të mësojnë sipas programeve të modernizuara, të cilat përfshijnë njohuri nga STEM-i, teknologjitë e gjelbra dhe aftësitë digjitale.

Reforma në arsimin profesional synon që nxënësit, përveç njohurive profesionale, të fitojnë edhe aftësi që lidhen me zhvillimin teknologjik, tranzicionin e gjelbër dhe kërkesat e tregut bashkëkohor të punës.

Për zbatimin e programeve të reja janë trajnuar 569 mësimdhënës, ndërsa janë përgatitur edhe materiale të reja mësimore. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, është forcuar gjithashtu bashkëpunimi me sektorin privat, me synimin që nxënësit të fitojnë më shumë njohuri dhe aftësi praktike.

Ndryshimet përfshijnë disa fusha profesionale. Nxënësit e profileve ekonomike do të njihen me modele të bizneseve të gjelbra dhe inovacionet e qëndrueshme, ndërsa në profilet e hotelerisë dhe turizmit do të trajtohen tema si reduktimi i mbetjeve ushqimore dhe zbatimi i praktikave të qëndrueshme.

Aftësitë e gjelbra dhe digjitale do të përfshihen edhe në fusha të tjera profesionale, duke synuar që nxënësit të kenë njohuri më të gjera dhe të përshtatshme për profesione të ndryshme.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se modernizimi i arsimit profesional duhet t’u mundësojë të rinjve të zhvillojnë aftësi të nevojshme për karrierën e tyre, ndërsa kompanive t’u sigurojë kuadro të përgatitura për inovacionet dhe ndryshimet në tregun e punës.

Programet e reja synojnë gjithashtu të zhvillojnë njohuritë teknike, aftësinë për zgjidhjen e problemeve, inovacionin dhe përshtatjen e nxënësve me ndryshimet teknologjike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit