Rikonstruimi i Qeverisë mund të sjellë takim mes Filipçes, Ahmetit dhe Apasievit

Advertisement

Shkup, 10 korrik – Nuk ka ende konfirmim nëse liderët e opozitës do ta shfrytëzojnë praninë e tyre në Kuvend gjatë seancës për rikonstruimin e Qeverisë, të caktuar për të hënën, për të diskutuar ofertën e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Sipas burimeve nga opozita, po bëhen përpjekje që liderët e opozitës, Venko Filipçe, Ali Ahmeti, Dimitar Apasiev dhe Zijadin Sela, të zhvillojnë një takim të hënën për të harmonizuar qëndrimet rreth reformës zgjedhore. Ky konsiderohet edhe momenti i fundit për arritjen e një konsensusi, në mënyrë që ndryshimet të miratohen në Kuvend deri më 15 korrik, afat që lidhet edhe me përmbushjen e pikës së dhjetë të Agjendës Reformuese.

Kryeministri Mickoski ka deklaruar se ia lë opozitës të harmonizojë dallimet për rregullat zgjedhore dhe se shumica do të pranojë çdo marrëveshje që ata arrijnë, me kusht që diaspora të fitojë të drejtën e votimit me postë në zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE u bëri sërish thirrje partive opozitare të arrijnë një marrëveshje, ndërsa Levica njoftoi se do të marrë iniciativën për një takim mes opozitës dhe ftesën zyrtare do ta dërgojë të hënën.

Koordinatori i grupit parlamentar të Levicës, Borislav Krmov, vlerësoi se propozimi i Mickoskit që opozita të merret vesh mes vete është një shmangie e përgjegjësisë nga pushteti.

Sipas tij, tri partitë më të mëdha opozitare – LSDM, BDI dhe Levica – mbështesin modelin me një njësi zgjedhore, edhe pse kanë dallime për pragun zgjedhor. Krmov tha se opozita mund të dalë me një propozim të përbashkët për të testuar nëse pushteti është realisht i gatshëm për reformë.

Ai shtoi se procesi nuk duhet të ndalet edhe nëse nuk respektohet afati i 15 korrikut, duke theksuar se reforma është tepër e rëndësishme për t’u lënë pezull.

Edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, përsëriti thirrjen që opozita të arrijë marrëveshje, duke theksuar se afati i fundit për përmbushjen e objektivit është 15 korriku.

Sipas tij, VMRO-DPMNE do të pranojë çdo zgjidhje për të cilën bien dakord BDI, LSDM, Levica, si dhe blloku i udhëhequr nga Zijadin Sela dhe Arben Taravari, qoftë për modelin me një njësi zgjedhore, financimin e partive politike apo mekanizmat për ankesat zgjedhore, me kusht që diasporës t’i mundësohet votimi.

Nga ana tjetër, LSDM mbetet kundër votimit elektronik ose me postë të diasporës, duke argumentuar se mungojnë mekanizmat mbrojtës dhe se kjo mund të krijojë hapësirë për manipulime zgjedhore.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, theksoi se partia nuk është kundër të drejtës së votës së diasporës, por kundërshton çdo model që, sipas saj, nuk garanton kontroll të mjaftueshëm dhe mund të rrezikojë integritetin e procesit zgjedhor.

Pavarësisht përpjekjeve për kompromis, gjasat janë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të shtyhen, pasi përveç rreth 14 mijë amendamenteve të dorëzuara tashmë nga LSDM, Levica dhe Lidhja Shqiptare e Zijadin Selës, bllokadë me amendamente ka paralajmëruar edhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari, nëse diasporës nuk i mundësohet votimi me postë edhe në zgjedhjet lokale.

përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit