Tetovë, 10 korrik – Pas vdekjes së kryetarit të Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, kanë nisur procedurat ligjore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale.
Sipas afateve të përcaktuara me ligj, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale tashmë e ka informuar Qeverinë për krijimin e kushteve për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa pritet që ekzekutivi në një nga mbledhjet e ardhshme të marrë vendimin për njoftimin e institucioneve kompetente dhe fillimin e procedurave të mëtejshme.
Ndërkohë, në qarqet politike kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e kandidatëve të mundshëm. Sipas informacioneve jozyrtare, një nga emrat që po përmendet si kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës është Goran Jovanovski, sekretar shtetëror në Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.
VMRO-DPMNE deri më tani nuk ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën për Bërvenicën, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar të merret pas shpalljes së zgjedhjeve dhe përfundimit të procedurave brenda partisë. përcjell Zhurnal.mk .





