Derisa aeroportet në Ohër dhe Shkup e kanë pasur korrikun më të suksesshëm deri tani, duke vendosur rekorde historike në komunikacionin ajror të vendit, ACI Europe përsëri i ka radhitur aeroportet e Maqedonisë së Veriut mes aeroporteve me rritje më të madhe në Evropë. Aeroporti “Shën Apostull Pali” – Ohër, i menaxhuar nga TAV Maqedoni, filiali i TAV Aeroportet, anëtar i Grupacionit ADP, e ka shënuar muajin korrik më të suksesshëm në historinë e vet, duke vendosur rekord të ri edhe në numrin e udhëtarëve edhe në numrin e fluturimeve të realizuara, informojnë nga TAV Aeroportet.
Gjatë korrikut, Aeroporti i Ohrit ka shërbyer 52.544 udhëtarë, që paraqet rritje prej 41,21 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Njëheri, janë realizuar 443 fluturime, respektivisht 34,65 për qind më shumë sesa në korrik të vitit 2025.

Në muajin e njëjtë janë vendosur edhe dy rekorde tjera të rëndësishme. Më 26 korrik u regjistrua dita më e ngarkuar në historinë e Aeroportit të Ohrit, me 2.988 udhëtarë të shërbyer, ndërsa më 20 korrik u realizuan 22 fluturime rekorde gjatë një dite.
“Trendi pozitiv konfirmohet edhe përmes rezultatet kumulative. Në periudhën prej janarit deri në korrik, përmes aeroportit të Ohrit kanë udhëtuar gjithsej 175.182 udhëtarë, që është për 24,24 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën periudhë, u realizuan 1.350 fluturime, që paraqet rritje të komunikacionit ajror prej 28,69 për qind, thonë nga TAV Aeroporte.
Sipas tyre, rritje e fuqishme vazhdon të regjistrohet edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Gjatë korrikut, u shërbyen 408.925 udhëtarë, që paraqet rritje prej 29,5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa u realizuan 2.670 fluturime, respektivisht 10,3 për qind më shumë se në korrik 2025. Dita më e ngarkuar në Aeroportin e Shkupit ishte 31 korriku, kur u shërbyen 16.347 udhëtarë. Numri më i madh i fluturimeve në një ditë, gjithsej 101 operacione u realizuan më 20 korrik.
“Në periudhën prej janarit deri në korrik, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit u shërbyen 2.241.935 udhëtarë, që paraqet rritje prej 29 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa u realizuan 14.930 fluturime, respektivisht 7,1 për qind më shumë. Në shtatë muajt e parë të vitit, aeroportet e Shkupit dhe Ohrit së bashku shërbyen 2,42 milionë udhëtarë (2,241,935) dhe 16.280 fluturime, që paraqet rritje prej 28,4 për qind në rritjen e trafikut të udhëtarëve dhe 8,6 për qind në numrin e operacioneve”, potencojnë nga kompania.

Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedonia, thekson se rritja e fuqishme e vazhdueshme që tashmë një kohë të gjatë e shënojnë në dy aeroportet i bën jashtëzakonisht krenarë.
“Rezultatet rekord në aeroportin e Ohrit janë vetëm një konfirmim tjetër se puna e palodhur, vizioni i qartë, puna e përkushtuar dhe strategjia afatgjatë e TAV Maqedonia po japin rezultate. Kompanitë e reja ajrore dhe aktivitetet e përbashkëta me Qeverinë për të tërhequr kompani të reja ajrore kontribuojnë që Ohri të bëhet një destinacion gjithnjë e më i arritshëm dhe tërheqës për udhëtarët dhe turistët. Këto rezultate konfirmojnë se investimet në zhvillimin e rrjetit të linjave dhe përmirësimin e shërbimeve në të dy aeroportet po krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë”, deklaroi Kurt.
Ai thekson se edhe krahas rikonstruimit që realizohet në aeroportin e Ohrit, puna e tij zhvillohet pa ndërprerje. Edhe krahas aktiviteteve të vëllimshme ndërtimore, komunikacioni i rregullt ajror dhe shërbimet e udhëtarëve funksionojnë sipas orarit të paraparë.
“Suksesi i TAV Maqedonia është vlerësuar sërish nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve – Evropë (ACI Europe). Sipas raportit të fundit të ACI Europe për gjysmën e parë të vitit 2026, megjithëse aeroportet në të gjithë BE-në patën rritje të qarkullimit të udhëtarëve prej 2,6 për qind, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Maqedonia e Veriut është lider në mesin e vendeve jo anëtare të BE-së për sa i përket rritjes së qarkullimit të udhëtarëve, me një rritje prej 27,9 për qind, përpara Moldavisë (+21%), Shqipërisë (+17,2%), Uzbekistanit (+15,7%), Armenisë (+11%) dhe Malit të Zi (+10,4%). Përveç kësaj ACI Europe e renditi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit në mesin e aeroporteve të mesme me rritje më të shpejtë në Evropë, me rritje prej 28,6 për qind”, thuhet në kumtesë.
TAV Maqedonia, potencojnë nga atje, edhe në të ardhmen do të mbetet e përkushtuar në zhvillimin e dy aeroporteve të Maqedonisë së Veriut përmes zgjerimit të rrjetit të linjave ajrore, përparimin e shërbimeve dhe krijimin e mundësive të reja për udhëtarët, turizmin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit.






